Bullizmi: Zëdhënësja politike e LDK-së komenton shtrembërimin e të folurës që Kurti i bëri Jasharajt
Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka denoncuar denigrimin e krerëve të sindikatës nga ana e pushtetit, duke përmendur në veçanti sulmin e djeshëm të kryeministrit Kurti ndaj kryesindikalistit Rrahman Jasharaj.
“...në ballë të kësaj makinerie të errët, u vu vetë kryeministri, duke e imituar të folurën e duke e përqeshur - rrjedhimisht bullizuar - kreun e SBAShK-ut. Fushata dehumanizuese në fjalë, i parapriu përpjekjes për sulm fizik ndaj Jasharajt, sepse eksponentë të pushtetit e krijuan ambientin linçues!” – shkruajti znj. Halimi.
Ajo konsideron që një gjë e tillë nuk do t’i sjellë asnjë dobi vendit, derisa vlerëson që “politika dhe njerëzorja” (sic) “asnjëherë nuk kanë qenë kaq larg njëra-tjetrës.
Edhe shumë akterë tjerë të politikës dhe shoqërisë civile kanë denoncuar gjuhën bullizuese të kryeministrit Kurti gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës ndaj Rrahman Jasharajt. Ai në atë seancë shtrembëroi të folurën e Rrahman Jasharajt duke thënë “ndihmomë o vëlla!”
Statusi i plotë:
Në këto tri javë grevë, për as edhe një çast, nuk ka pushuar denigrimi ndaj krerëve të sindikatave nga ana e makinerisë linçuese e propaganduese të pushtetit. Së fundmi, në ballë të kësaj makinerie të errët, u vu vetë kryeministri, duke e imituar të folurën e duke e përqeshur - rrjedhimisht bullizuar - kreun e SBAShK-ut. Fushata dehumanizuese në fjalë, i parapriu përpjekjes për sulm fizik ndaj Jasharajt, sepse eksponentë të pushtetit e krijuan ambientin linçues!
Kjo mendësi dhe tendencë e nënshtrimit dhe shtypjes së tjetrit të perceptuar ndryshëm dhe armik të fabrikuar; kjo 'cancel culture' e përmasave të frikshme, nuk ka për të sjellë asgjë të dobishme. Politika dhe njerëzorja, në liri të vendit, asnjëherë nuk kanë qenë kaq larg njëra tjetrës