Bujar Osmani rendit dëmet e qeverisë Mickoski-VLEN ndaj shqiptarëve dhe integrimit euroatlantik
Ish-kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka ngritur shqetësim se si po trajtohen shqiptarët në këtë vend pas ardhjes në pushtet të Hristijan Mickoskit, i cili e kishte mbështetjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përmes subjektit politik VLEN.
Osmani ka numëruar dëmet që pushteti në Maqedoninë e Veriut po ua shkakton shqiptarëve dhe pengesat në rrugën euroatlantike.
Tutje, Osmani përmendi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e emërtimeve shqip në Tetovë.
Gjithashtu, ai ka theksuar vërejtjet e Parlamentit Europian ndaj pushtetit, ku thuhet që protestat studentore të mos etiketohen si të motivuara politikisht.
Postimi i plotë i Bujar Osmanit:
Mirëmëngjes.
Vetëm gjatë javës së fundit:
• Gjykata Kushtetuese anuloi emërtimet shqiptare në Tetovë dhe riktheu emra si “Marshall Tito”.
• Në Parlament po shtyhet ligji që godet shtyllën kryesore të barazisë, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
• Barazia vazhdon të gërryhet në praktikë, nen pas neni, institucion pas institucioni.
• Parlamenti Europian paralajmëroi për depërtimin e ndikimit serb dhe rrezikun e shndërrimit të vendit në zgjatim të “Botës Serbe”.
• Parlamenti Europian kërkoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në shkronjë dhe në frymë.
• Parlamenti Europian kërkoi që protestat studentore të mos etiketohen si destabilizuese apo të motivuara politikisht.
• Keqmenaxhim skandaloz i institucioneve qendrore dhe lokale, nga padija, pafuqia dhe kapja.