Buja: PDK-ja po i imiton partitë e tjera - NACIONALE

Buja: PDK-ja po i imiton partitë e tjera

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-nënkryetari i PDK-së, Ramë Buja, është shprehur kritik me partinë e tij.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka treguar arsyet e dorëheqjes nga ky post, duke thënë se nuk ka qenë i kënaqur me kryesinë dhe grupin parlamentar të PDK-së.

"Unë i kam thënë edhe kryetarit se po largohem nga këto dy pozicione dhe arsyet ia kam thënë atij, duke mos qenë i kënaqur me vendimet e kryesisë dhe të grupit parlamentar"- ka thënë ai.

Me veprimet e saj, ka deklaruar ai, PDK-ja po i imiton partitë e tjera politike.

"PDK-ja ka pasur një dinamizëm tjetër veprues, në një kohë tjetër. Tash po duket sikur është imituese e ndonjë partie dhe kjo nuk i shërben dhe nuk duket hiç logjike për PDK-në, me emrin që e ka, me historikun që e ka dhe me realizimet që i ka bërë"- është shprehur ai.

Ai ka treguar se çka i ka thënë kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqit, kur e ka njoftuar për dorëheqjen.

"Unë ia pata thënë edhe një shprehje popullore, i thashë: Kryetar, unë nuk jam mësuar të ia hijeshoj odën kurrë askujt, në asnjë rast dhe në asnjë moment. Kështu që nuk kam ardhur për ta hijeshuar as odën tënde"- ka thënë ai.

Sipas tij, PDK-ja duhet të jetë më dinamike në aktivitetin e saj opozitar.

"Ka shumëçka që duhet të bëjë ndryshe PDK-ja. Duhet të jetë më dinamike në parlament, shumë me dinamike sesa tash, që është relativisht e heshtur. I bëjnë disa gjëra të mira, por duhet të jetë esëll në çdo seancë parlamentare"- ka thënë ai.

Buja ka paralajmëruar se pakënaqësitë me partinë do t`i adresojë edhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Drejtues.

"Ne e kemi Këshillin Drejtues, që është organ vendimmarrës i partisë. Meqenëse këto gjëra janë bërë publike, ne ia kemi për borxh që kur të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues, t`i themi ato që duhet t`i themi dhe t’u propozojmë se çfarë duhet bërë më mirë, sepse vetëm të kritikosh, nuk ka logjikë"- ka thënë ai.

Lajme të ngjashme