Bugaqku: Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë normë të re, por intepretim sipas qëllimit të Kushtetutës
Hulumtuesi në KDI, Vullnet Bugaqku, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë normë të re, por ka bërë interpretim sipas qëllimit të Kushtetutës.
Postimi:
Pas vendimit të fundit, Gjykata Kushtetuese po akuzohet se ka “shkruar një normë të re kushtetuese” lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Megjithatë, nëse lexohet drejt dhe pa paragjykim politik vendimi i saj, vërehet qartë se Gjykata Kushtetuese nuk ka krijuar normë të re, por ka bërë një interpretim teleologjik (sipas qëllimit) të Kushtetutës.
Për më tepër, vendimi nënkupton se, nëse e drejta e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin për kryetar shihet vetëm si privilegj formal, pa përgjegjësi kushtetuese, kjo mund të çojë në bllokadë institucionale, duke e bërë të pamundur përmbushjen e këtij detyrimi kushtetues.
Prandaj, sipas aktgjykimit, Kushtetuta kërkon që Kuvendi të konstituohet brenda një afati prej 30 ditësh.
Me një fjalë, Gjykata, me këtë interpretim, ka balancuar dy norma ekzistuese që gjenden në Kushtetutë: të drejtën e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe detyrimin për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor.
Kjo nënkupton se Gjykata ka zgjedhur të theksojë parimin e funksionalitetit dhe të mirëbesimit si elemente të pashmangshme të sistemit parlamentar.
Prandaj, në doktrinën e së drejtës dhe të gjyqësisë kushtetuese, kjo mënyrë interpretimi nuk konsiderohet krijim i legjislacionit të ri, por as interpretim strikt dhe formal i Kushtetutës.
Thjesht, kjo metodë interpretimi mund të konsiderohet si një formë e aktivizmit gjyqësor në kuptimin pozitiv, por jo “shkrim i Kushtetutës”.