“Budallë”: Vazhdon përplasja e Latifit me zv.ministrin Vokrri
Po vazhdon përplasja nëpër rrjete sociale mes analistit dhe profesorit Blerim Latifi me zëvendësministrin Arbër Vokrri.
Pasi ky i fundit shkroi një postim në Facebook, ku tha se Latifi “s’e ka krytë me u marrë me çështje komplekse e të historigrafisë”, analisti i ka reaguar në Facebook.
“Si të definohet njeriu që pasi ka studiu mjekësi deklarohet me plot vetëbesim për çështjet e historisë së mesjetës, për të cilat edhe historianët më të njohur në botë shprehen me rezerva kritike?” – ka thënë fillimisht ai.
Tutje, Latifi e ka quajtur Vokrrin edhe “budallë”.
Ndërkohë, e gjitha kjo nisi pasi Nacionale raportoi për një koment, ku Vokrri është marrë me familjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kryeheroit të kombit shqiptar. Duke komentuar në statusin e sindikalistit Ali Sefaj, Vokrri, që është anëtar i moçëm i VV-së, e ka quajtur familjen Kastrioti si “pravosllavë”.
Tutje, ai ka shkruar se familja Kastrioti është varrosur në manastirin më të shenjtë serb.
“Ky sultan gjysmëshqiptar e mundi perandorin gjysmëserb të Bizantit (ai u vra), dhe dihet se ishte në luftë kundër pjesës pravosllave të familjes Kastrioti, sikurse edhe i ati i tij. Megjithatë këta sulltanë nuk i kishin ngucur Kastriotët pravosllavë kur këta u bënë edhe murgj në manastirin më të shenjtë serb, aty ku edhe janë varrosë” – shkroi Vokrri.