Britania shpall emergjencë kombëtare për shkak të vapës që pritet
Zyra britanike e meteorologjisë të premten shpalli emergjencë kombëtare, duke lëshuar paralajmërim të kuq për nxehtësi ekstreme për disa pjesë të Anglisë për të hënën dhe të martën e javës së ardhshme, kur temperatura mund ta kalojë rekordin.
“Temperatura të jashtëzakonshme, ndoshta rekordthyese, janë të mundshme të hënën, pastaj përsëri të martën. Netët ka gjasë që të jenë jashtëzakonisht të ngrohta për Mbretërinë e Bashkuar, sidomos në zonat urbane. Kjo ka gjasë që të çojë në ndikim të gjerë ndaj njerëzve dhe infrastrukturës”, thuhet në njoftim.
Temperatura më e lartë në Britani u shënua më 25 korrik të vitit 2019 në Kopshtin Botanik të Universitetit të Keimbrixhit.
Këtë javë, Agjencia për Siguri Shëndetësore dhe Zyra e Meteorologjisë lëshuan paralajmërim të nivelit të tretë për vapë për disa pjesë të vendit. Me këtë masë, shërbimeve shëndetësore dhe sociale u kërkohen hapa të veçantë për t’i mbrojtur grupet e ndjeshme.