Britania i bashkohet ShBA-së duke kryer sulme ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen - NACIONALE

Britania i bashkohet ShBA-së duke kryer sulme ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ushtria britanike kreu sulme ajrore në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, duke i vënë në shënjestër rebelët Houthi të Jemenit, thanë të mërkurën disa zyrtarë. Kjo është përfshirja e parë e Mbretërisë së Bashkuar në fushatën e re intensive të forcave amerikane, në shënjestër të së cilës është grupi i mbështetur nga Irani.

Britania ofroi një shpjegim të hollësishëm të arsyeve për kryerjen e këtyre sulmeve, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë dhënë pak hollësi për më shumë se 800 sulmet e kryera që nga fillimi i fushatës më 15 mars, raporton gazeta “The Guardian”.

Rebelët Houthi raportuan për disa sulme përreth kryeqytetit Sanaa të Jemenit, të cilin e kanë nën kontroll që nga viti 2014. Sulme të tjera u kryen përreth qytetit Saada.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë e përshkroi zonën e sulmuar si “tufë ndërtesash, të përdorura nga grupi Houthi për të prodhuar dronë të llojeve që shfrytëzohen për të sulmuar anije në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, rreth 25 kilometra në jug të qytetit Sanaa”.

Sipas kësaj ministrie, gjatë sulmit u përdor aeroplani i tipit “Typhoon FGR4s” i Forcës Ajrore Mbretërore, duke hedhur bomba me drejtim “Paveway IV”. “Sulmi u krye pas rënies së errësirës, kur mundësia që ndonjë civil të ishte në zonë u zvogëlua edhe më tej” – thuhet në njoftim.

Britanikët nuk ofruan të dhëna rreth dëmit që është shkaktuar nga sulmi e as nëse besonin nëse ishte vrarë ndokush. Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara nuk e përmendi sulmin e forcave britanike.

Lajme të ngjashme