Britania e Madhe mbështet deklaratën e BE-së e cila u publikua pas kritikave të Kurtit - NACIONALE

Britania e Madhe mbështet deklaratën e BE-së e cila u publikua pas kritikave të Kurtit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Britania e Madhe ka mbështetur deklaratën e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, e cila u publikua pas kritikave të ashpra nga kryeministri Albin Kurti.

Përmes një shkrimi në Twitter, ambasada britanike në Kosovë ka publikuar deklaratën e BE-së, ku bën të ditur se qëndron plotësisht pas saj dhe kërkesës që palët të përkushtohen me konstruktivitet në dialog dhe pa vonesa.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka dalë me një komunikatë të gjatë mëngjesin e sotëm pas deklaratave të djeshme nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Aty thuhet se të gjitha palët duhet të zbatojnë marrëveshjen për të cilën janë zotuar. BE ka përsëritur kërkesën që të fillojë puna për zbatimin e Asociacionit,.

“Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë më 14 shtator në Bruksel, BE-ja shpreh shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, të cilat të dyja palët të rënë dakord në fillim të këtij viti, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve.” - thuhet në fillim.

“BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm.” – bëhet e ditur tutje.

BE-ja ka lënë të nënkuptohet se Kurti po e rrezikon parimin e konfidencialiteti në dialog, edhe pse pa përmendur emra. Sipas BE-së, është shqetësuese fakti që situata në veri është ende e tensionuar.

“BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik. BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarët, trupat e KFOR-it, forcat e rendit dhe përfaqësuesit e mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme.” – shkruan mes tjerash në komunikatë.

Lajme të ngjashme