Brdo-Brijuni, Osmani: Vuçiqi iu drejtua samitit me ofendime
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar edhe një herë se Kosova, gjatë gjithë historisë së saj, nuk ka sulmuar dhe nuk ka pushtuar asnjë vend. Kjo deklaratë u bë pas përfundimit të samitit të Brdo-Brijunit, i mbajtur në Shqipëri.
Osmani tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sikurse në takimet e mëparshme, tentoi të tensiononte samitin me fjalor ofendues dhe arrogancë, por pavarësisht kësaj, delegacionet arritën të miratojnë një deklaratë të përbashkët me unanimitet.
Ajo theksoi se Kosova kishte paraqitur argumente të fuqishme, të mbështetura nga e drejta ndërkombëtare dhe vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke mbrojtur në mënyrë të vendosur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
Në lidhje me marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë – të cilën Vuçiq e kishte kritikuar – Osmani u përgjigj se ky është një pakt mbrojtës dhe jo agresiv.
“Ne si shtet kemi të drejtë të mbrojmë veten. Aleancat tona janë për mbrojtje, jo për sulm. Në gjithë historinë tonë si komb, kurrë nuk kemi sulmuar askënd. Por kemi mbrojtur dhe do ta mbrojmë çdo centimetër të territorit të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
Ajo shtoi se forcimi i ushtrisë së Kosovës është pjesë e një strategjie për mbrojtjen e vendit, sidomos përballë kërcënimeve që vijnë nga Serbia.