BQK me deklarata të kundërta me ato të Qeverisë: Rritja ekonomike është rreth 3.7 për qind e jo 4.9 - NACIONALE

BQK me deklarata të kundërta me ato të Qeverisë: Rritja ekonomike është rreth 3.7 për qind e jo 4.9

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Fehmi Mehmeti, guvernatori i Bankës Qendrore, i ka hedhur poshtë deklaratat e të parit të Qeverisë Albin Kurti dhe ministrit të kuletës së shtetit, Hekuran Murati, të cilët deklaruan se rritja ekonomike është 4.9 për qind.

Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Financa, tha se presioni i inflacionit dhe rënia e fuqisë blerëse kanë bërë një gjë të tillë.

Kryeministri Kurti, ditë më parë ka thënë se përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, vitin e kaluar shënuan rritje ekonomike prej 10.7 për qind.

“Sot u bënë një vit e gjysmë të qeverisjes sonë. Përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10,7% që është edhe rritja më e madhe në rajon. Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike”, thuhej në postimin e Kurtit.

Ndërsa Ministri i Financave, Hekuran Murati shkroi se edhe pse kishte ankesa të mëdha për rritjen e çmimeve dhe krizë ekonomike, ekonomia e Kosovë po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.

“Përkundër sfidave të vazhdueshme globale, ekonomia e vendit tonë po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme duke vazhduar zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të këtij viti. Kjo vërehet edhe në trendin e qarkullimit të bizneseve në vend”, kishte shkruar Murati.

Lajme të ngjashme