Bojkotimi i fjalimit të presidentes, Tahiri tregon arsyet: Po sillet në shpërputhje me rolin e saj kushtetues
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka treguar arsyet se pse kjo parti do ta bojkotojë fjalimin vjetor të presidentes Osmanit sot në Kuvend.
Ai ka thënë se e para e shtetit nuk po e luan rolin që i takon me Kushtetute të Kosovës.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës edhe këtë vit nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur për adresimin vjetor të presidentes Osmani, sepse e njëjta fatkeqësisht ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit. Zonja Osmani, si presidente ka heshtur edhe atëherë kur do të duhej ta ngriste zërin fuqishëm përballë sfidave që ka kaluar vendi jonë gjatë këtij viti, si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtem. Zonja Osmani si presidente që në krye të herës e ka braktisur rolin unifikues që do të duhej ta kishte sepse me vendimet, veprimet dhe mosveprimet e saj ka demonstruar njëanëshmeri të thellë politike ndaj pushtetit dhe nënshtrim ndaj Albin Kurtit”, ka shkruar Tahiri në profilin e saj në “Facebook”.