Bllokohet rruga që e lidh Armeninë me Nagorno-Karabakun, Rusia e shqetësuar
Rusia shprehu shqetësim të enjten për bllokimin e Korridorit të Lachin-it, i cili e lidh Armeninë me enklavën e Nagarno-Karabakut, që shtrihet brenda territorit të Azerbajxhanit.
Kjo rrugë është e vetmja lidhje tokësore nëpër territorin azer mes Armenisë dhe rajonit të kontestuar të Nagorno-Karabakut. Armenia e ka akuzuar Azerbajxhanin për bllokimin e këtij korridori. Bakuja e ka mohuar këtë akuzë, shkruan agjencia “Reuters”, përcjell gazeta “Nacionale”.
Në një konferencë për gazetarë të enjten në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Rusia shpreson që ky korridor do të zhbllokohet së shpejti.
Në pjesën e dytë të vitit 2020, Azerbajxhani dhe forcat etnike armene në Nagorno-Karabak zhvilluan një konflikt të armatosur e të përgjakshëm, me mijëra ushtarë të vrarë. Lufta qe ndërprerë me një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia.
Federata Ruse ka dërguar trupa paqeruajtëse për ta garantuar zbatimin e armëpushimit. Kohë pas kohe, mes forcave azere e armene ka pasur luftime të vogla e raportime për të vrarë. Palët e akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të kufirit e provokime.