Bllokohet në senat përpjekja e opozitës për t’ia kufizuar Trumpit kompetencat në luftë - NACIONALE

Bllokohet në senat përpjekja e opozitës për t’ia kufizuar Trumpit kompetencat në luftë

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Shumica e senatorëve amerikanë e mbështetën të mërkurën fushatën ushtarake të presidentit Donald Trump kundër Iranit, duke bllokuar një rezolutë të drejtuar nga demokratët me qëllim të ndaljes së luftës derisa veprimet ushtarake të autorizoheshin nga Kongresi.

Senati votoi me 52 vota “kundër” dhe 47 “për” në lidhje me rezolutën për kompetencat në luftë, duke e nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të Partisë Republikane për politikat e luftës të Trumpit më shumë se gjashtë javë pas fillimit të sulmeve ajrore amerikano-izraelite kundër Iranit më 28 shkurt, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kjo ishte hera e katërt që demokratët kanë hedhur në votim masa të ngjashme që nga fillimi i luftës. Të gjitha kanë dështuar për shkak të kundërshtimit të të gjithë senatorëve republikanë, përpos senatorit Rand Paul.

Pauli ishte i vetmi senator republikan që e mbështeti rezolutën edhe në votimin e ri. I vetmi senator demokrat që nuk e mbështeti rezolutën ishte John Fetterman. Senatori republikan, Jim Justice, nuk votoi.

Udhëheqësit e Partisë Demokratike në opozitë janë zotuar se do të vazhdojnë që të sjellin në votim rezoluta për kompetencat në luftë derisa konflikti të marrë fund ose derisa Kongresi ta autorizojë vazhdimin e luftimeve.

Lajme të ngjashme