Bllokada institucionale, Rafuna: Kosova po rrezikon të humb shumë fonde nga BE, reformat kanë ngecur
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka bërë me dije se Kosova është në prag të humbjes së shumë fondeve nga Plani i Rritjes.
Ai ka bërë me dije se kjo po ndodh për shkak të bllokadës institucionale.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Rafuna ka deklaruar se për marrjen e këtyre fondeve Kosova është dashur ta dorëzoi raportin për realizimin e disa reformave më 30 qershor.
“Së pari kishim masat ndëshkuese, ku humbëm prej disa fondeve një pjesën tonë, që vendet e rajonit i morën të gjitha, ndërsa Kosova nuk i ka marrë, për shkak që ishim nën masa sanksionuese. Kurse, tani kemi sfidën më të madhe me Planin e Rritjes, ku sipas të gjitha gjasave një shumë goxha të madhe do ta humbim, ose thuajse e kemi humbur, se e kemi pasur afatin deri më 30 qershor që ta dorëzojmë raportin edhe të dëshmojmë që i kemi bërë reformat, ku nuk janë arritur që të bëhen reformat qysh është kërkuar me Planin e Rritjes, edhe këtu ne do të humbim një shumë”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Kështu që, gjersa Kosova humb, vendet e rajonit përfitojnë, për shkak se këto mjete nuk do të kthehen në Bruksel, ose nuk do të na presin ne si Kosovë derisa ne t’i plotësojmë kushtet, mirëpo do t’u shpërndahen vendeve të cilat kanë ecur shumë shpejt në reforma”, është shprehur ai.
Ai ka treguar se për çfarë projektesh bëhet fjalë.
“Po, ka disa projekte, janë ka projekte të ndryshme, domethënë prekin në infrastrukturë, te ujërat e zeza, projekte të hekurudhave, të digjitalizimit, e kështu me radhë. Që ndër vite i kemi humbur ose janë pezull”, ka thënë Rafuna.