Bislimi për propozimin franko-gjerman: Më i afërt me Serbinë, s’ka marrëveshje finale as njohje reciproke
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka vlerësuar se propozimi franko-gjerman është “më i afërt” me pozicionin e Serbisë sa i përket përspektivës së dialogut mes dy vendeve.
Në një adresim online në Forumin e Sigurisë në Beograd, Bislimi ka deklaruar se Kosova dëshiron që të arrijë një marrëveshje finale që përmban njohje reciproke.
Siç raporton Danas, Bislimi ka thënë se për Serbinë është e rëndësishme të mos ketë marrëveshje finale dhe që ajo të mos përfshijë njohjen reciproke, kështu që, plani është më afër pozicionit të saj.
“Sipas kësaj përspektive, propozimi franko-gjerman është më i afërt me pozicionin e Serbisë, sepse nuk prezanton marrëveshje finale dhe nuk përmban njohjen reciproke në këtë fazë”, ka deklaruar ai.
Tutje, ai ka deklaruar se të dy palët janë pajtuar që mos ta publikojnë dokumentin në këtë periudhë.
“U përket të dyja palëve që të vendosin se kur është momenti i duhur për ta bërë publike këtë”, ka thënë ai.
