Bislimi e jep për fakt të kryer se “nga sot” nis koha kur serbët në veri do të fillojnë të paguajnë rrymën - NACIONALE

Bislimi e jep për fakt të kryer se “nga sot” nis koha kur serbët në veri do të fillojnë të paguajnë rrymën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, krahas heqjes së regjimit të vizave për udhëtim në zonën Schengen si dhe heqjen e regjimit të afisheve për veturat me targa RKS që udhëtojnë në dhe nëpërmjet Serbisë, ka thënë se 1 janari shënon edhe fillimin e pagesës së energjisë së shpenzuar elektrike nga serbët në veri.

Këto “tri procese” ,tha Bislimi, shënojnë nisjen e këtij viti; duke e dhënë për fakt të kryer se “Pas më shumë se 20 vitesh, edhe në veriun e vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.

Njoftimi i Bislimit:

1 janari 2024 shënoi fillimin e proceseve të rëndësishme për vendin tonë, e për më tepër procese të cilat po ndodhin për herë të parë.

Lëvizja e lirë pa viza filloi e qytetarët kanë nisur të përfitojnë nga kjo e drejtë e fituar me mund. Me rëndësi është të rikujtojmë se ajo duhet të shfrytëzohet pozitivisht, e jo të keqpërdoret. Ka rregulla brenda lirisë për të udhëtuar të cilat duhen respektuar e trajtuar me përgjegjësi.

Nga sot, qytetarët tanë do të mund të lëvizin tashmë të padiskriminuar nga autoritetet serbe, me targat tona zyrtare RKS dhe pa vendosur ngjitëset në simbolet shtetërore në targat e veturave. Ky ishte pozicioni ynë që nga fillimi e kjo u realizua pas 2 vitesh tensione të panevojshme.

Gjithashtu, Elektrosever ka filluar nominimin e energjisë që konsumohet në katër komunat në veri, që nënkupton se nga sot pushojnë edhe devijimet e KOSTT-it. Pas më shumë se 20 vitesh, edhe në veriun e vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

3 procese kanë filluar nga sot, procese të tjera do t'i ndërmarrim e zhvillojmë përgjatë vitit, gjithmonë në shërbim të interesave të të gjithë qytetarëve tanë.

Lajme të ngjashme