Bie çmimi i naftës pas zbutjes së shqetësimit për lundrime nëpër Detin e Kuq
Çmimet e naftës në bursën ndërkombëtare ranë për më shumë se 1 për qind të enjten, pasi u zvogëlua shqetësimi për pengesat në lundrim nëpër Detin e Kuq, edhe pse tensionet në Lindje të Mesme vazhdojnë që të jenë të ashpra.
Çmimi për një fuçi naftë të papërpunuar në bursën “Brent” ra për 97 centë ose rreth 1,2 për qind në orën 11 e 26 minuta, raporton agjencia “Reuters”.
Çmimi për një fuçi naftë të papërpunuar në bursën amerikane, WTI, ra për 1 dollar e 3 centë ose 1,4 për qind.
Të mërkurën, çmimet e naftës shënuan rënie për gati 2 për qind, pasi kompani të rëndësishme të transportit detar e rinisën lundrimin nëpër Detin e Kuq.
Kompania daneze e transportit detar, “Maerks”, tha se kishte caktuar disa anije që të lundrojnë nëpër Kanalin e Suezit dhe Detit të Kuq gjatë javëve të ardhshme, pasi më herët këtë muaj e kishte ndërprerë lundrimin nëpër këtë vijë për shkak të sulmeve nga rebelët Houthi të Jemenit.