Bideni: Na duhet armëpushim, marrëveshja për pengjet tash është në duart e Hamasit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të martën se nevojitet armëpushim në Gaza dhe se marrëveshja e mundshme për lirimin e pengjeve tash është në duart e Hamasit.
“Është në duart e Hamasit tash për tash… Duhet të ketë një armëpushim, sepse Ramazani – nëse futemi në rrethana ku kjo vazhdon në Ramazan, Izraeli dhe Jerusalemi mund të jenë shumë, shumë të rrezikshëm” – deklaroi presidenti amerikan, raporton gazeta "The Guardian".
Ai nuk hyri në hollësi, por ShBA-ja i bëri thirrje Izraelit javën e kaluar që t’i lejojë myslimanët që të kryejnë rite fetare në xhaminë “Al-Aksa” në Jerusalem gjatë Ramazanit.
Emisarët e Hamasit dhe ShBA-së kanë zhvilluar takime me ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti në Kajro për të arritur një armëpushim 6-javor, raporton gazeta “The Guardian”.
Mediumi egjiptian “Al-Qahera”, që është i afërt me shërbimet inteligjente të Egjiptit, raportoi se bisedimet do të vazhdojnë për ditën e katërt radhazi të mërkurën, sipas agjencisë franceze të lajmeve, AFP.