Bideni arrin në Francë për përvjetorin e Ditës D, do të flasë edhe me Zelenskyn
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, arriti të mërkurën në Francë për ta shënuar 80-vjetorin e asaj që njihet si Dita D ose fillimi i çlirimit të Francës nga Gjermania naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ai pritet ta theksojë përkushtimin ndaj aleatëve të ShBA-së në Evropë dhe të flasë për demokracinë.
Bideni do të qëndrojë në Francë dhe do të marrë pjesë në organizimet për Ditën D në Normandi, ku forcat amerikane dhe aleate kishin arritur në bregdetin francez dhe kishin nisur një sulm që e kishte ndihmuar mposhtjen e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, si dhe do të mbajë një fjalim të profilit të lartë e do të zhvillojë një vizitë shtetërore me homologun francez, Emmanuel Macron, raporton agjencia “Reuters”.
Gjatë qëndrimit në Normandi, Bideni do të bisedojë edhe me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, rreth përpjekjeve për t’iu kundërvënë pushtuesve rusë, tha këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan.
Në atë që premton të jetë moment emocionues, Bideni do të takohet me veteranë të moshuar që kishin marrë pjesë në sulmin e Ditës D.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby, tha se përdorimi i mundshëm i një pjese prej 300 miliardë dollarëve nga asetet e ngrira ruse për ta ndihmuar Ukrainën do të diskutohet nga Bideni dhe Macroni gjatë qëndrimit të amerikanit në Francë.