Biden flet për zgjedhjet, thotë se është "i përgatitur të punojë me kolegët republikanë"
Presidenti amerikan Joe Biden ka mbajtur një fjalim, duke i quajtur zgjedhjet e mesmandatit të së martës "një ditë e mire për demokracinë" dhe një "ditë e mirë për Amerikën".
Biden ka thënë se, “populli amerikan ka folur, kjo tregon se Demokracia është ajo që jemi," ndërsa më tej ka shtuar se zgjedhjet janë realizuar pa asnjë ndërhyrje.
Presidenti po ashtu tregoi se si do të përpiqej të punonte nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve. Megjithatë ai e bëri të qartë se ka disa çështje për të cilat nuk do të bëjë kompromis.
“Jam i përgatitur të punoj me kolegët e mi republikanë. Populli amerikan e ka bërë të qartë, mendoj unë, se ata presin që edhe republikanët të jenë të përgatitur të punojnë me mua," është shprehur ai.
Më tej Biden tha se çdo vend i humbur nga partia e tij është i dhimbshëm, por megjithatë vuri në dukjet se partia e tij "humbi më pak vende në Dhomën e Përfaqësuesve se në çdo zgjedhje të mesmandatit në 40 vitet e fundit".
