"Besoj që edhe në ShBA ka raste kur qytetarët ankohen", Murati me argument qesharak për inflacionin në Kosovë
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka mbrojtur qeverinë për inflacionin enorm gjatë viteve të fundit në Kosovë nën argumentin se ka rritje të kostos së jetesës edhe në nivel global, gjatë një intervistë për Zërin e Amerikës.
"Jeta është vështirësuar në nivel global. Unë besoj që edhe këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka raste e raste kur qytetarët ankohen për shkak të rritjes së kostos së jetesës, sidomos produktet bazë", tha Murati.
Siç bën rëndom, Murati fajësoi opozitën duke përmendur përsëri ligjin për çmimet tavan dhe pagën minimale.
"Sektorin privat po ashtu e kemi mbështetur me masa të subvencionimit për rritje të pagave, por kemi miratuar edhe disa ligje, siç është ligji për çmimet tavan, i cili pikërisht nga opozita është refuzuar dhe dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë. Dhe është edhe ligji për rritjen e pagës minimale, i cili po ashtu nga opozita është dërguar në Gjykatë Kushtetuese, që të bllokohet. Pra në vazhdimësi kemi veprime të opozitës që pengojnë të gjitha masat që mundohet qeveria t’i marr për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve", tha Murati.