Berisha nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve ku dështuan totalisht: Votuesit ishin nën presion
Udhëheqësi i frontit “Bashkë fitojmë”, Sali Berisha, nuk po e pranon rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Atje ku PS-ja fitoi mbi 50 bashki, opozita nuk arriti as pritjet minimale. Megjithatë, Berisha po thotë se votuesit kanë qenë nën presion.
Pjesë nga fjalimi:
Raporti paraprak, ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar, vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që krijon pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha format antiligjore të ndërhyrjes në vullnetin e qytetarëve shqiptarë nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer dhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit.
Siç e patë vetë, ata refuzuan të nxjerrin nga goja çdo cilësor që iu kërkua, iu qëmtua nga mediat e Edi Ramës për ta tundur si flamur të këtyre zgjedhjeve më të manipuluarat, më të rrënuarat ndonjëherë në historinë e Shqipërisë.
Në këtë kontekst, populli opozitar pa si në dritën e diellit, përpjekjen e narkoshtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje.
Ajo, jo vetëm i konfiskoi vulën, jo vetëm e privoi nga të gjitha fondet që i takonin me ligj dhe Kushtetutë, por kaloi në aktin më absurd të mohimit të të drejtës së koalicionit për të zgjedhur kryetarin e vet, dhe i tmerruar nga emri i Sali Berishës, nuk lejoi regjistrimin e tij në listë.
Një aleancë krimi në nivel politik dhe në nivel nëntokësor, u demonstrua si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit.
Trinomi Rama-Doshi-Brava ishte shëmtia më e madhe, me veprimet e tyre në këtë proces zgjedhor.