Berisha: Mosvotimi i rezolutës për krerët e UÇK-së nga LDK, shenjë se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje - NACIONALE

Berisha: Mosvotimi i rezolutës për krerët e UÇK-së nga LDK, shenjë se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, e ka kritikuar LDK-në për mosvotimin e rezolutës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ai ka vlerësuar se ky veprim i LDK-së është shenjë e qartë se Kosova po përgatitet të shkojë sërish në zgjedhje.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo tendencë e LDK-së është e rrezikshme.

“Mosvotimi në Kuvend i rezolutës për krerët e UÇK-së në Hagë nga LDK, me pretekstin se nuk janë përfshirë “vrasjet politike”, është simptomë e qartë se Kosova po përgatitet të shkojë sërish në zgjedhje. Qëndrimet e fundit të LDK-së për ta aktualizuar edhe njëherë temën e vrasjeve “politike” janë shenjë e një tendence të rrezikshme për rikthim në shtratin e propagandës serbe, të cilën për një kohë ia kishte marrë binomi Vjosa–Albin”, ka shkruar ai, duke kritikuar disa zyrtër të kësaj partie.

“Edhe pse për një çast mund të ndjesh keqardhje për gjendjen në të cilën ka rënë LDK, kjo ndjenjë zhduket kur sheh disa debilë politikë që e shndërrojnë këtë parti në trampolinë të përçarjes ndërshqiptare, duke shërbyer drejtpërdrejt propagandës serbe, e cila vazhdon t’i fërkojë duart kur sheh se si shqiptarët përplasen mes veti, duke amnistuar vrasjet që Serbia ka kryer pikërisht për këtë qëllim në Kosovë”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme