Behgjet Pacolli takon Presidentin e Sudanit të Jugut
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, është pritur për një takim nga Presidenti i Sudanit të Jugut, Salva Kiir Mayardi, i cili ish-Presidentin e Kosovës e ka pritur gjysmë i maskuar.
Pacolli, nëpërmjet një njoftimi, ka thënë se me Presidentin Salva Kiir, ka pasur një bisedë të gjatë dhe të frytshme.
“…kemi shkëmbyer mendime për marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona në të gjitha sferat si dy shtete te pavarura dhe sovrane. Sudani i Jugut është shteti më i ri në botë me 13 milionë banorë dhe resurse marramendëse natyrore, dhe ne ramë dakord që nuk ka asnjë arsye mos të punojmë së bashku”, ka shkruar Pacolli.
Pacolli ka sugjeruar që Kosova të punojë për krijimin e horizonteve të reja diplomatike.
“Nga ana tjetër ne duhet të punojmë për krijimin e horizontit edhe më të gjerë, për Kosovën e cila ka nevojë për miq kudo qofshin ata. Është interes kombëtar që Kosova të zërë vendin e merituar në arenën ndërkombëtare dhe të njihet nga bota në tërësi”, ka shkruar ai.