BE me porosi për Kosovën dhe Serbinë: Shfrytëzojeni propozimin ftanko-gjerman, nuk tolerojmë kriza të reja
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, sot në konferencë për shtyp, tha se BE-ja, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shfrytëzojnë propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Me tutje, Massrali shtoi se pas sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë nuk mund të ketë kriza të reja në Evropë.
“Bashkimi Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania u ka paraqitur palëve një propozim, për të bërë progres konkret dhe të pakthyeshëm në rrugën e normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Është e qartë se me agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, ne nuk mundemi, ose nuk mund të ketë tensione të reja në Evropë, dhe ne duhet të kapërcejmë gjendjen e përhershme të krizës dhe të ulim tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Massrali.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëjnë një hap historik përpara në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, që është çelësi, për të avancuar në rrugën e tyre evropiane. Por siç e dini, kur bëhet fjalë për plane, për letra, për dokumente të brendshme, nuk mund të shkojmë përtej asaj që u tha publikisht nga presidenti i komisionit dhe Përfaqësuesi i Lartë, Borrell”, ka shtuar Massrali.
Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është lideri i parë në rajon që ka mbeshtetur planin franko-gjerman, duke thënë se plani i Francës dhe Gjermanisë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një shans shumë i madh.
“Unë në fillim dua të them që plani franko-gjerman që është propozuar Serbisë dhe Kosovës ofron për to vërtet një shans madhështor, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë por për të gjithë rajonin. Dhe unë shpresoj vërtetë që të dyja palët ta marrin këtë serioziosht dhe shpresoj që të dya palët ta kuptojnë që tani ka ardhur koha që të japim një kontribut të rëndësishëm për të gjithë arkitekturën e sigurisë evropiane”, ka thënë Edi Rama më 3 nëntor në Samitin e Berlinit.