BE-ja pajtohet për fillimin e fazës së parë të bisedimeve për anëtarësim për Ukrainën e Moldavinë - NACIONALE

BE-ja pajtohet për fillimin e fazës së parë të bisedimeve për anëtarësim për Ukrainën e Moldavinë

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Ambasadorët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të premten u pajtuan për avancimin e bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë. Faza e parë e negociatave pritet të fillojë të hënën.

Edhe pse Ukraina po vazhdon të luftojë kundër pushtimit rus, presidenti Volodymyr Zelensky e ka bërë anëtarësimin e vendit të tij në BE qëllim strategjik kyç, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Duke shkruar në rrjetin “Telegram”, Zelensky i falënderoi BE-në dhe udhëheqësit e saj “për këtë hap të fortë për Evropën”. Ai gjithashtu e përgëzoi Moldavinë fqinje.

“Ukraina është duke e bërë atë që është e nevojshme dhe është me rëndësi që edhe BE-ja po e mban fjalën e vet” – shkroi ai më tej.

Presidenti ukrainas tha se hapja e kapitullit të parë të fushave të diskutimit në bisedime “është mbështetje domethënëse politike dhe morale për shtetin tonë dhe popullin tonë”.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, citohet t’i ketë thënë presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, se vendi i saj “e ka bërë punën e nevojshme dhe do të vazhdojë që t’i zbatojë reformat”.

Udhëheqësit e BE-së ishin pajtuar për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën e Moldavinë që në dhjetorin e vitit 2023, por ato nuk mund të fillonin për shkak të kundërshtimit nga qeveria e mëparshme hungareze ndaj anëtarësimit të Kievit në bllok.

Megjithatë, qeveria e re hungareze arriti një marrëveshje me Kievin për të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë, duke ia hapur rrugën heqjes së bllokadës ndaj fazës së parë të bisedimeve për anëtarësim./Nacionale

Lajme të ngjashme