Bashota: Nuk e di nëse Kadri Veseli ka pasur ndonjë zëvendës në Shtabin e Përgjithshëm
Sokol Bashota është rikthyer sërish në sallën e gjyqit në Hagë për të dëshmuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Matt Halling dëshmitari ka thënë se nuk e din nëse Kadri Veseli ka pasur ndonjë zëvendës në pozitën e tij në Shtabin e Përgjithshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk e di nëse ka pas ndonjë zëvendës Kadri Veseli. Ose ka qenë dikush që ka mujt me e caktu, nuk e di. Saktë nuk e di dhe nuk mu kujtohet. Përderisa nuk ka një emër nuk po mundem me than kurrgjë”, ka thënë dëshmitari.
Ai e ka thënë këtë pasi iu prezantua një dokument që pretendohet se është shkruar nga vetë ai dhe ishte nga një mbledhje e dhjetorit të 1998-ës me Shtabin e Përgjithshëm.
Në të njëjtin dokument, prokurori ka thënë se thuhet në një vend “Luli” dhe mbi këtë emër ishte një numër telefoni.
“Ky nuk është dokument për mua. As në dukje nuk është dokument. Në një dokument nuk lejohen të bëhen kësi shkrime, numri telefoni, vite pas nënshkrimi. Nuk mendoj që ky është dokument zyrtar i UÇK-së dhe përndryshe do të ishte gabim. Nuk e di arsyen se pse e kam bërë por me siguri e kam bërë me e pasqyru diku në ndonjë libër apo diku. Kjo më shumë me ngjason që është bërë pas luftës së gjatë luftës. Nuk po muj e di”, ka thënë dëshmitari.