Bashkimi Evropian pritet ta sanksionojë Serbinë?
Bashkimi Evropian (BE) ka shtuar presionin ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të mos vonojë vënien e sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, e nëse kjo nuk ndodhë shpejt, sipas burimeve diplomatike të gazetës serbe “Danas”, Serbia do të përballet me sanksione të BE-së.
“Nëse BE-ja do të vendosë për sanksione, hapi i parë do të jetë ndalja e rrjedhjes së parasë drejt Serbisë, anulimi i Schengenit të bardhë, ndërprerja e negociatave për pranim në Bashkimin Evropian dhe më pas sanksione. Por kjo merr kohë”, kanë thënë burimet e kësaj gazete.
Të njejtat burime i kanë thënë Gazetës serbe se Vuçiq shpreson në mbështetjen e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, dhe se BE mund ta “kursejë” Serbinë, për faktin se nënshkrimi i një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën, po afrohet.
“Pasi që nënshkrimi i marrëveshjes me Prishtinën po afrohet, shanset që do t’i mbërrijnë sanksionet janë shumë të vogla, por Parlamenti i Bashkimit Evropian është i lirë të kalojë një rezolutë për t’i pezulluar negociatat, dhe në mes të krizës në Ukrainë, do ta ketë përkrahjen e shumicës së qytetarëve të BE-së”, kanë thënë burimet e “Danasit”.
Kujtojmë se Serbia para pak ditësh ka nënshkruar një marrëveshje për koordinimin e politikave të jashtme me Rusinë, e cila ka nxitur reagime të shumëta në Kosovë, e tek eksponentët e tjerë në Europë.