Balli Kombëtar në listën e LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit
Balli Kombëtar i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një komunikate për media, LDK-ja ka treguar se kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka nënshkruar marrëveshje parazgjedhore me Ballin Kombëtar, për të garuar së bashku në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në komunikatë është thënë se pjesë e kësaj listës së LDK-së do të jetë edhe Partia e Drejtësisë.
“Partia e Drejtësisë do të garojë në listë me Ferid Aganin. Përderisa Balli Kombëtar me Alban Hotin. Ky bashkëpunim përfaqëson një bashkim vlerash, përgjegjësie politike dhe vizioni të përbashkët për një Kosovë më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të dinjitetshme për qytetarët e saj. Si dhe është pjesë e përpjekjes së LDK-së për të ndërtuar një shumicë të re politike që e nxjerr vendin nga kriza, e hap zhvillimin, e kthen shpresën dhe e udhëheq Kosovën me maturi e dinjitet. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, shpresë dhe për LDK-në!”, është thënë në komunikatë.