Avokati: Vëllezërit Tate gënjyen për pasurinë, kerret e shtrenjta janë me qira, e bëjnë sa për t’u dukur në rrjete sociale
Avokatët e Andrew dhe Tristan Tate kanë pranuar në dokumentet gjyqësore se vëllezërit e famshëm të rrjeteve sociale kanë gënjyer online për pasurinë e tyre.
Sipas avokatëve, pretendimet për burime të pakufizuara financiare, kriptomonedha dhe pasuri luksoze nuk janë të vërteta, raportoi "Forbes."
Mes luksit të paraqitur online ishin një Bugatti Chiron Pur Sport me vlerë 7 milionë dollarë dhe një Aston Martin prej 2.1 milionë dollarësh.
Por automjetet nuk ishin në pronësi personale të tyre. Avokatët thanë se ato ishin marrë me qira ose përmes kontratave korporative.
Edhe koleksioni i shtrenjtë i orëve të Andrew Tate nuk dëshmon se ai i zotëronte realisht modelet që shfaqte.
Avokatët thanë se imazhi i pasurisë ekstreme përdorej për të promovuar bizneset e tyre online, përfshirë kurse për fitimin e parave.
“Sa më hiperbolik dhe i jashtëzakonshëm të ishte postimi, aq më shumë gjasa kishte të gjeneronte shikime dhe pëlqime”, deklaruan ata.
“Në fund të fundit, ata po luanin një rol”, shtuan avokatët.