Avokati Koci: Ligji e ndalon që gjatë grevës të ekzekutohen pagat
Avokati, Arianit Koci ka deklaruar në televizionin publik se vendimi i qeverisë për mosekzekutimin e pagave ndaj mësimdhënësve ka bazë ligjore.
Por me një vendim të tillë, nuk është se po pajtohen edhe disa deputetë të shumicës në Kuvendin e Kosovës dhe partitë opozitare.
Koci tha se politikanët po i shfrytëzojnë ekspertët por po vendosin si po duan vet. Ai tha se mësimdhënësit duhet të kompensohen por jo në formë të pagave, sepse këtë nuk e lejon dispozita ligjore.
“Të drejtën në grevë nuk mund ta mohojë askush, por ligji e ndalon që gjatë grevës të ekzekutohen pagat, pezullon pagesën, por edhe detyrimin që rrjedhin nga kontrata e punës dhe detyrimin e bindjes për të punuar. Kjo është dispozita ligjore dhe kjo është shumë e qartë”, thotë Koci.
Sipas tij, nëse Qeveri dëshiron ta blejë paqen sociale duhet të gjejë forma tjera, por jo në formë të pagave. “Ka forma kreative, mësimdhënësit duhet të kompensohen por jo në formë të pagave”, tha ai.
Ndërsa sa i përket pagesës për disa grevistë të sektorëve të tjera, avokati tha se me këtë çështje duhet të merret prokuroria.
