Avokati: Haxhiu dhe të tjerët shpallen të pafajshëm për gazin lotsjellës në Kuvend pas 10 vitesh
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me ish-deputetët Donika Kadaj-Bujupi, Pal Lekaj dhe Besa Baftiu, janë shpallur të pafajshëm pas 10 vitesh në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.
Sipas EO, lajmi ëshë konfirmuar nga avokati i Pal Lekaj, Musa Damati, i cili e cilësoi vendimin si triumf të mbrojtjes dhe drejtësisë.
“Për të gjithë ju, në cilësinë e avokatit të deputetit të asaj kohe, zotrit Pal Lekaj, konfirmoj dhe deklaroj para jush dhe para qytetarëve të Republikës së Kosovës se klienti im, zotëri Pal Lekaj, është shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat me të cilat është ngarkuar në rastin e njohur për publikun, rastin e gazit lotsjellës. Pra kemi të bëjmë me rastin e njohur të hedhjes së bombolave të gazit lotsjellës, për të cilat janë pandehur dhe janë ngarkuar, dhe është rast i cili është shqyrtuar tashmë e dhjetë vite në organet e Kosovës. Zotëri Pal Lekaj, pas rreth pesë viteve në shumë seanca të cilat janë caktuar dhe janë mbajtur, së bashku me mua si mbrojtës i tij, në çdo seancë kemi prezentuar, pavarësisht agjendës së ngarkuar, times dhe të tij. Gjykata Themelore në Prishtinë ka dështuar që të procedojë tutje me shqyrtimin e këtij rasti penal juridik, dhe na ka dërguar vendimin, aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në bazë të së cilës klienti im, deputeti i asaj kohe zotëri Pal Lekaj, është shpallur në tërësi i pafajshëm. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm i mbrojtjes në procedurat e përfaqësimit të bëra ndër vite, dhe më në fund është një triumf i drejtësisë dhe është një fitore e pastër juridike në raport me të mbrojturin tim”, ka thënë ai.
Ndërkaq, avokati i Albulena Haxhiut, Burim Halili, theksoi se ajo kishte kundërshtuar Asociacionin dhe se nuk u vërtetua asnjë vepër penale ndaj saj.
“Zonja Haxhiu në Parlamentin e Kosovës atëherë, në atë kohë kishin ndërmarrë veprime të cilat kishin penguar procesin e mbarëvajtjes në mënyrë të rregullt të votimit për Asociacionin. Zonja Haxhiu kishte mbajtur qëndrim të qartë kundër Asociacionit. Pastaj me rastin e zhvillimit të shumë ngjarjeve në atë kohë në parlament ishin ndaluar së bashku me deputetë të tjerë, ku ndaj tyre ishin ndaluar disa elemente, që ishin të dyshimta. Dhe është mbajtur një shqyrtim gjyqësor dhe asnjëherë nuk ka arritur që të vërtetohet se elementet e dyshimta kishin të bëjnë me vepër penale për çka se ato ishin ndaluar. Dhe këtu në vitin 2021 kishim pasur një aktgjykim ku të njëjtit ishin shpallur, domethënë të pafajshëm dhe në afat ligjor ishte ushtruar ankesë. Dhe rasti kishte shkuar në rigjykim, edhe pas rigjykimit prokuroria kishte dështuar që me veprimet e saja të vërtetonte fajësinë e tyre. Pastaj rasti ishte stërzgjatur, ku kishte shkuar dhe arritur pas disa viteve e kemi edhe parashkrimin, ku në rastin konkret kemi vendim ku lirohen nga të gjitha pikat e aktakuzës Albulena Haxhiu dhe të tjerët”, tha Halili.