Avokati Bajraktari: Prokuroria e Hagës nuk e ka vërtetuar "Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale" - NACIONALE

Avokati Bajraktari: Prokuroria e Hagës nuk e ka vërtetuar "Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale"

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nacionale raportoi për pranimin e disa dokumenteve nga institucionet kryesore të Beogradit zyrtar, si dokumente në Gjykatën Speciale të Hagës.

Avokati Ardian Bajraktari në intervistë për Ekonomia Online e cilëson këtë proces në Hagë si me jo pak shkelje.

“Procesi në Dhomat e Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tashmë ka hyrë në një fazë të rëndësishme, ku rol determinues do të ketë pala mbrojtëse. Ecuria e procesit deri tash është shoqëruar me jo pak shkelje, duke filluar nga mungesa e transparencës e deri te në një proces të tejzgjatur. Pastaj ka pasur edhe sfida, të cilat nuk do të duhej të ndodhnin, me theks të veçantë për sa i përket çështjes së aspektit financiar, pra mbulimit të pagesave të avokatëve mbrojtës”, tha ai.

Avokati vlerësoi se pika kyçe e aktakuzës “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” nuk ka arritur të argumentohet.

“Sipas asaj që kemi parë deri më tash, në bindjen time, me theks të veçantë sa i përket asaj që njihet si “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, që është pika kyçe e aktakuzës, prokuroria nuk ka arritur të argumentojë një gjë të tillë. Nga shtatori e tutje presim dëgjimin e dëshmitarëve të ftuar nga ana e palës mbrojtëse dhe gradualisht po shkojmë drejt përfundimit të këtij procesi, i cili në bindjen time do të përfundojë nga fundi i këtij viti, eventualisht fillimi i vitit të ardhshëm”, tha për Ekonomia Online, avokati Bajraktari.

Lajme të ngjashme