ATK paralajmëron inspektime në mbarë Kosovën: “Çdo aktivitet i paregjistruar do të trajtohet sipas ligjit”
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) u ka bërë thirrje personave që ende zhvillojnë veprimtari të paregjistruar që të regjistrohen vullnetarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), para se të identifikohen nga inspektorët tatimorë.
Sipas ATK-së, gjatë inspektimeve në terren, çdo aktivitet i paregjistruar do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, pa përjashtim. Masat përfshijnë regjistrimin e detyrueshëm të aktivitetit, pajisjen me Numër Fiskal, si dhe shqiptimin e gjobave dhe sanksioneve ligjore.
ATK thekson se regjistrimi vullnetar shmang penalitetet dhe kontribuon në krijimin e një konkurrence të drejtë në treg. Po ashtu, institucioni ka kërkuar nga tatimpaguesit e regjistruar që të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, duke rikujtuar se mospërditësimi përbën shkelje ligjore. ATK rithekson përkushtimin për luftimin e ekonomisë joformale.