Atentati i planifikuar ndaj Kurtit, Abilekaj: Ka vite që në politikën shqiptare nuk janë përdorur atentatet për larje hesapesh - NACIONALE

Atentati i planifikuar ndaj Kurtit, Abilekaj: Ka vite që në politikën shqiptare nuk janë përdorur atentatet për larje hesapesh

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas publikimit të emaileve të ish-Drejtorit të Policisë së Shqipërisë Gledis Nano, ku flitej për një atentat të porositur ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Nacionale ka kontaktuar me analistin e njohur shqiptar Enton Abilekaj.

I pyetur në lidhje me dokumentin e dalë nga hakerat iranianë dhe asaj se kujt mund t’i interesojë vrasja e kryeqeveritarit të Kosovës, Abilekaj tha se nuk mendon që ka patur ndonjë komplot kundër kryeministrit Kurti.

Ai poashtu përjashtoi mundësinë që një gjë e tillë të jetë menduar nga politikanë të tjerë, duke thënë se në 23 vitet e fundit në hapësirën shqiptare nuk janë përdorur atentatet për të larë hesape në politikë.

“Që nga 1999, kur u vra në Tiranë ministri i Mbrojtjes se Kosovës, Ahmet Krasniqi, pra 23 vitet e fundit në hapësirën shqiptare nuk janë përdorur atentatet ndaj politikanëve për të larë hesapet. Përjashtuar rasti i Oliver Ivanoviçit, që është një përplasje mes serbëve. Ka patur informacione nga sherbimet inteligjente, për atentate të mundshme në Shqipëri dhe Kosovë. Ndaj Ramës ne 2011, ndaj Metës apo edhe ndaj Kurtit pak javë pasi u bë Kryeministër për herë të dytë,” u shpreh Abilekaj për Nacionale.

Më tej Abilekaj shtoi se edhe atentatet e mundshme të lartpërmendura, më shumë kanë qenë lajthitje personale sesa të organizuara.

“Më shumë kanë qenë lajthitje personale se atentate të organizuara si ai qe ka dalë nga e-mailet. Ne këtë kontekst mendoj se nuk ka patur ndonjë komplot kundër Albin Kurtit, pa e përjashtuar mundësinë e ndonjë lajthitjeje të përkohshme të dikujt.”

Lajme të ngjashme