As Ismet Beqirit nuk i kujtohet që Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvendi
Edhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka dëshmuar në favor të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili po akuzohet se në vitin 2016 ka hedhur gaz lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Në seancën e sotme gjyqësore, në cilësinë e dwshmitarit ai ka thënë se nuk mban mend që Konjufca ka hedhur gazë në Kuvend.
“Ajo që mund të them është se edhe në Kryesi të Kuvendit edhe në seanca ka pasur hedhje të gazit lotsjellës, por po them me përgjegjësi të plotë se nuk e mbaj mend që në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, z. Kunjufca ka hedhur gaz lotsjellës, por nuk mund të them diçka që nuk e mbaj mend”, ka thënë Beqiri, raporton Betimi për Drejtësi.
Para Beqirit në këtë seancë ka dëshmuar edhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. As këtij të fundit nuk i kujtohet nëse Konjufca ka hedhur gaz.
“Nuk më kujtohet se z. Konjufca ka hedhur ndonjëherë gaz lotsjellës. Kjo është ajo që mua me kujtohet. E për të tjerët unë mujë me dëshmu, edhe për Albin Kurtin dhe për të tjerët”, ka thënë Grabovci.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës.
Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.