Arrestohet kryepsikiatri ushtarak i Ukrainës, akuzohet për korrupsion prej 1 milion dollarësh - NACIONALE

Arrestohet kryepsikiatri ushtarak i Ukrainës, akuzohet për korrupsion prej 1 milion dollarësh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ukraina e ka ndaluar kryepsikiatrin e ushtrisë nën dyshimin për “pasurim të paligjshëm”, duke fituar më shumë se një milion dollarë që nga fillimi i luftës në shkurtin e vitit 2022.

Në një deklaratë, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU) tha se ky person ishte pjesë e një komisioni që vendoste nëse individët i plotësonin kushtet për shërbim ushtarak, raporton televizioni BBC.

Në deklaratën e SBU-së nuk u përmend emri i të arrestuarit. Megjithatë, një burrë i quajtur Oleh Druz ishte identifikuar më parë si kryepsikiatër i ushtrisë ukrainase.

SBU-ja tha se ai posedon tri banesa në Kiev ose afër tij, një në Odesa, dy parcela toke dhe disa vetura luksoze të tipit BMW, ndërsa hetuesit gjetën në shtëpinë e tij edhe 152 mijë dollarë amerikanë e 34 mijë euro para të gatshme.

Në deklaratë thuhet se burri nuk i kishte deklaruar pronat, të cilat ishin të regjistruara në emrat e bashkëshortes, të bijës, djemve të tij dhe palëve të treta të tjera.

Ai tani mund të dënohet me deri dhjetë vjet burgim nën akuzat për pasurim të paligjshëm dhe bërje të një deklarate të rreme.

Druz ishte i përfshirë në një rast të ngjashëm më 2017, kur nuk kishte deklaruar dy xhipa dhe disa prona, duke i nxitur autoritetet që ta pezullonin nga puna.

Lajme të ngjashme