Arrestohet i dyshuari për të shtëna me armë dhe lëndim të rëndë në Prizren
Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës në rrugën “Ismet Jashari” në Prizren, pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një qytetari.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30, kur i dyshuari, për motive ende të panjohura, ka përdorur armën ndaj viktimës mashkull kosovar, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal të Prizrenit, ku gjendja e tij është konstatuar stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Nga vendi i ngjarjes, policia ka sekuestruar një pistoletë të tipit Zoraki, tetë fishekë dhe një gëzhojë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari, pas tretmanit mjekësor dhe intervistimit, është dërguar në mbajtje.