Arrestohen dy persona të dyshuar për ryshfet, njëri zyrtar i ATK-së
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “Dhënia e ryshfetit dhe marrja e ryshfetit”. Policia ka bërë të ditur se njëri nga të arrestuarit është zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës.Siç bëhet e ditur në njoftim, ai dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, ku gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në terminalin Doganor në Mitrovicë dyshohet se nga një qytetar/palë në procedurë ka pranuar një shumë të hollash.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur më tej se i dyshuari mashkull me qëllim të lehtësimit të procedurave të kontrollit, i kishte ofruar para të gatshme zyrtarit të ATK-së të cilat i janë gjetur në xhepin e tij dhe të njëjtat i janë sekuestruar përkohësisht si provë materiale relevante për veprën penale.