Arrestimi i themeluesit të “Telegram”-it në Francë, vjen reagimi i Kremlinit - NACIONALE

Arrestimi i themeluesit të “Telegram”-it në Francë, vjen reagimi i Kremlinit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kremlini tha të hënën se nuk di se për çfarë akuzohet nga Franca themeluesi i rrjetit “Telegram”, Pavel Durov.

Miliarderi rus u arrestuar të shtunën në mbrëmje afër Parisit, raporton agjencia “Reuters”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se është mirë që të pritet dhe të shihet se cilat janë akuzat zyrtare kundër Durovit para se të komentohet më tej.

Peskovi shtoi se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ishte takuar javën e kaluar në Baku të Azerbajxhanit me themeluesin e rrjetit “Telegram”.

Durovi u arrestua pas aterrimit të aeroplanit të tij privat në Aeroportin “Le Bourget”, raportuan mediat franceze.

Sipas zyrtarëve, miliarderi 39-vjeçar u arrestua sipas një urdhri për shkelje të ndryshme që lidhen me aplikacionin e njohur. Hetimi thuhet se e përfshin mungesën e moderimit, ndërsa Durovi akuzohet se ka dështuar që të ndërmarrë hapa për t’i kufizuar përdorimet kriminale të “Telegram”-it.

Aplikacioni akuzohet për dështim për bashkëpunim me forcat e rendit rreth trafikimit të drogës, përmbajtjeve seksuale me fëmijë dhe mashtrimit. Në të kaluarën, aplikacioni “Telegram” ka mohuar se ka moderim të pamjaftueshëm të përmbajtjeve.

Pavel Durovi është lindur në Rusi dhe tani jeton në Dubai, ku rrjeti “Telegram” e ka selinë qendrore. Ai ka shtetësi të dyfishtë të Francës dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe./Nacionale

Lajme të ngjashme