Armenia e Azerbajxhani zhvillojnë bisedime në Emiratet e Bashkuara
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, zhvilluan bisedime substanciale të enjten në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, thanë qeveritë e të dyja vendeve, në atë që ishte diskutimi i drejtpërdrejtë më serioz deri më tani në procesin e paqes për t’u dhënë fund gati katër dekadave konflikt.
Dy shtetet thanë në mars se ishin pajtuar për tekstin e një drafti të marrëveshjes së paqes, por progresi prej asaj kohe ka qenë sporadic dhe i ngadalshëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në deklarata, Ministria e Jashtme e Armenisë dhe Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit thanë se dy udhëheqësit diskutuan për tema si demarkimi i kufirit dhe u pajtuan për ta vazhduar dialogun në nivele të ndryshme.
Një burim i lartë qeveritar azer tha se bisedimet u zhvilluan në një “atmosferë shumë konstruktive”.
Në anën tjetër, Armenia tha se palët u pajtuan për vazhdimin e bisedimeve dypalëshe dhe se dialogu ka qenë “i orientuar nga rezultatet”.