Arifii: VV-ja nuk ia ka bërë kuorumin asnjë qeverie, tani po e korrë atë që e ka mbjell - NACIONALE

Arifii: VV-ja nuk ia ka bërë kuorumin asnjë qeverie, tani po e korrë atë që e ka mbjell

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Avni Arifi, ka komentuar kërkesën e VV-së ndaj partive tjera për të ndihmuar në formimin e institucioneve të reja.

Ai ka bërë me dije se partia e Albin Kurti asnjëherë nuk e ka ndihmuar asnjë qeveri për të ia bërë kuorumin.

Në profilin e tij në “Facebook”, Arifi ka shkruar se kjo parti tani po e korrë atë që e ka mbjell që 15 vite.

“Që prej se ekziston VV si parti parlamentare, pra pas zgjedhjeve të vitit 2010, asnjëherë nuk e kanë ndihmuar asnjë qeveri dhe asnjë kryeministër për sigurimin e kuorumit në seancat parlamentare. Nuk e kanë ndihmuar as Thaçin, as Mustafën, as Haradinajn e as Hotin – madje as në seancat kur ishte paraparë miratimi i ligjeve jashtëzakonisht të rëndësishme për qytetarët. Si pjesë e një qeverie që fillimisht i kishte 61 vota e më pas ra në 52, sa herë që nevojitej të ishin të pranishëm 61 deputetë, VV e braktiste sallën. Jeta përnjëmend është e rrumbullakët si topi. Po vjen koha që VV t’i korrë me bereqet të gjitha ato që i ka mbjellë”, ka shkruar ai, duke shtuar se VV-ja do të ketë probleme për sigurimin e shumicës parlamentare.

“Në muajt në vijim, duke pasur parasysh që shumë prej deputetëve të VV-së janë bajagi “turistë Zvicre Gjermanie e France” dhe do të mungojnë shpesh, seancat e Kuvendit do të jenë “mozomakeq”. Ju siguroj se pas çdo seance – njësoj si dje – zojat deputete të VV-së do të dalin e do të vajtojnë, piskasin e lotojnë se deputetët e opozitës po i bojkotojnë. Jo, jo nuk ju bojkotojnë, por sigurishtë do t’u a kthejnë dashninë që e keni investu kurse ju më mirë sigurojeni shumicën gjithmonë, e jo vetëm për krijimin e qeverisë”, ka shkruar Arifi.

Lajme të ngjashme