Arifi i del në mbështetje Haradinajt pas sulmeve të rënda të VV-së: “Qe çka ka Ramushi që këta s’kanë” - NACIONALE

Arifi i del në mbështetje Haradinajt pas sulmeve të rënda të VV-së: “Qe çka ka Ramushi që këta s’kanë”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-diplomati Avni Arifi, i ka dalë në mbështetje Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas sulmeve që këtij të fundit i erdhën nga Lëvizja Vetëvendosje.

Arifi ka një shpjegim se pse, sipas tij, vinë këto sulme.

Postimi i plotë:

Pse po e sulmon çdo ditë VV-ja Ramush Haradinajn?

Lëvizja Vetëvendosje duket se ka vendosur që patriotizmi dhe veriu të jenë temat kryesore me të cilat synon të fitojë zgjedhjet e vitit 2025. Nuk kanë faj, sepse një pjesë jo e vogël e popullsisë së Kosovës e sheh veriun si sukses, duke qenë të bindur se kjo situatë në terren është përfundimtare dhe e përhershme. Kjo është për t'u menduar dhe tepër e dyshimtë, por në të gjitha temat e tjera, në gjithë sektorët e shoqërisë, gjithsecili pajtohet se VV-ja as për propagandë nuk ka çfarë të thotë.

Por pse po sulmohet Ramush Haradinaj pikërisht në këtë fazë? Cila është arsyeja që çdo ditë, dy eksponentë të saj (deputetë e ideologë) po e sulmojnë Ramush Haradinajn, të shoqëruar me fyerje masive nga strukturat e VV-së? Haradinaj, me përvojën që ka në këtë temë, zotëron diçka që VV-ja nuk e ka në asnjë nivel, dhe kjo e pengon VV-në, veçanërisht kur shumica e kabinetit të Kurtit, përveç që as familjarisht e as personalisht nuk kanë ndonjë kontribut kombëtar, shumë prej tyre kanë qenë pjesë e sistemit serb. Çfarë e mundon Albinin dhe Lëvizjen Vetëvendosje?

Ramushi është stërnip i nënës Zizë dhe nip i nënës Azë, të dyja të masakruara pasi ofruan rezistencë në Jabllanicë në verë të 1998. Ramushi është gjithashtu nip i Brahimajve të Jabllanicës, të gjithë luftëtarë themelues të UÇK-së.

Ramushi është vëllai i Shkelzenit, Luanit, Dautit e Enverit, të cilët gjatë gjithë luftës u prinin ushtarëve jo nga qendrat komanduese, por nga vijat e para të frontit. Ai është i afërm i heroit Himë Haradinaj, si dhe nip i Smajl Haradinajt, ideologut kryesor të asaj zone për liri e bashkim kombëtar, njeriut që kaloi mbi 20 vjet në burgjet e Jugosllavisë dhe vdiq herët nga pasojat e burgjeve të rënda, ashtu siç vdiq edhe i biri i tij, Agroni, para dy vitesh.

Shkelzeni dhe Luani u vranë në vijën e parë të frontit. Ramushi u plagos tri herë gjatë luftës, Dauti po ashtu tri herë, dhe të plagosur ishin edhe babai Hilmiu, Enveri disa herë, ndërsa Bujari ishte i plagosur rëndë. Pjesë e përpjekjeve për liri, me armë në dorë, ishte edhe motra e tij, Mejremja, që nga 24 marsi 1998.

Ramushi është "fajtori" që skenari i Mitrovicës nuk pati sukses në Pejë, dhe kjo i kushtoi atij dy aktakuza në Hagë. Ramushi i mundi të dy aktakuzat dhe 40,000 faqet e dëshmive të shtetit serb, si dhe plot kolaboracionistë.

Shumë gjak e sakrificë për kombin nga vetëm një familje shqiptare e Kosovës, çfarë e ka bërë që t'i përulet çdo ushtarak i ushtrisë amerikane që ka lexuar dosjen e tyre. Nuk ka rëndësi nëse sakrificën e tyre nuk e vlerësojnë oportunistët e VV-së, që për kombin nuk e kanë as edhe një gërvishtje.

Por a ka më mjerim për një popull që duron njerëz si Basha, Gola, e Ferraj- ky mercenar nga Tirana që vajton pse s'u vra Ramushi - e shumë deputetë diletantë të jetës dhe ndjenjës për Atdheun?

Gjaku nuk është ujë, por është i shenjtë. Shenjtërinë e gjakut të derdhur për komb kurrë s'mund ta njollosin bandat e kuqe të VV-së e as askush tjetër.

Lajme të ngjashme