Vrasja e 18-vjeçarit në Podujevë: Apeli vërteton dënimin me burgim ndaj dy të miturve
Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me 10 vjet burgim për të miturin e parë dhe dënimin me 9 vjet burgim për të miturin e dytë, në lidhje me vrasjen e 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu në Podujevë, ka raportuar "Betimi për Drejtësi".
Gjykata e Apelit ka marrë vendin për herë të dytë për këtë rast, pasi në rastin e parë e kishte kthyer në rigjykim.
Në vendimin e marrë më 25 shtator 2024, Apeli ka gjetur se pretendimet e mbrojtësit të të miturit të parë, avokatit Skender Musa janë të pabazuara, pasi aktgjykimi i Themelores ka dhënë arsye të qarta për të gjitha faktet vendimtare të rastit.
Sipas Apelit, Themelorja ka bërë precizim të saktë të veprimeve inkriminuese për dy të miturit, në dispozitivin e aktgjykimit dhe pretendimi se ndryshimin e dispozitivit duhet ta bëjë prokurori për të mitur, nuk është arsyetuar.
Shkalla e dytë, në arsyetim thotë se shkalla e parë ka respektuar parimin e një gjykimi të drejtë, të paanshëm dhe në kohë të arsyeshme dhe refuzimi i propozimit të mbrojtjes për plotësimin me prova nuk përbën shkelje.
Mbrojtësi i të miturit të parë, në rivendosje kishte kërkuar ekzaminimin psikiatrik të të miturit, të cilin Gjykata kishte refuzuar, andaj edhe Apeli ka vërtetuar se kjo nuk përben shkelje pasi edhe nga gjendja e fakteve nuk është dëshmuar se ka nevojë për një ekzaminim të tillë pasi Themelorja ka pas në dispozicion të gjitha provat përfshirë edhe një raport psikologjik për të miturin.
Sipas Apelit, shkalla e parë ka dhënë arsye të qarta sa i përket bashkëpunimit mes të miturve për kryerjen e veprës penale.