Antidroga kap 10 kilogramë heroinë duke dalur nga Merdarja, arrestohet shtetasi kosovar
Dhjetë kilogramë drogë të llojit heroinë janë kapur sot nga policia kosovare në një operacion të njësitit të Antidrogës, njoftoi drejtori i këtij divizioni Reshat Murseli, në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Operacioni i nisur qysh në orët e hershme të mëngjesit, njoftoi Murseli, arriti që në pikëkalimin kufitar të ndalojë të dyshuarin A.L 65 vjeçar, shtetas kosovar dhe kroat, i cili synonte të bartte drogën në drejtim të Serbisë me destinacion vendet e BE-së.
“Në mesin e këtyre automjeteve te një automjet me targa kroate, e llojit Renault Megan, të drejtuar nga personi tanimë i dyshuar A.L., 1959 – shqiptar, shtetas kosovar dhe kroat, i cili ishte në dalje nga territori i Kosovës, hetuesit kanë hasur në indikacione të dyshuara dhe kanë ndërmarrë kontroll të detajuar, duke u mbështetur nga njësitet e flotës policore dhe kanë arritur që në pjesën me bagazh të kamufluar në gomën rezervë të automjetetit të gjejnë 20 paketime të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë. Ndërsa në derën e bagazhit, gjatë kontrollit, në pjesë të brendshme, në cilësi të provës materiale, po ashtu janë gjetur të fshehura 2500 euro dhe një telefon celular”, tha ai.
“Vlera e kësaj substance narkotike sillet rreth 20-25 mijë euro për kilogram në tregun e Kosovës, e që do të përllogaritej si 200-250 mijë euro vlerë totale”, tha Murseli.
“Sipas hetimeve, destinacioni i këtyre narkotikëve në rastin konkret është i destinuar për tregun jashtë Kosovës, gjegjësisht vendet e BE-së”, tha ai, duke paralajmëruar hetime të mëtejme.