Anëtarësimi në KiE: Rohde përmend ‘hapa të prekshëm’ për Asociacionin - dërgimin e Draftit në Kushtetuese
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar domosdoshmërinë e hapave konkretë drejt sigurimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në një intervistë të fundit për “Interaktiv” të KTV-së. Ambasadori gjerman nënvizoi rëndësinë e adresimit të shqetësimeve kryesore, veçanërisht në lidhje me të drejtat e pakicave dhe hapave për themelimin e Asociacionit.
Ai theksoi nevojën për përparim të prekshëm duke nisur me dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese.
“Ka fillu faza e ngritjes së peshave të rënda. Duhet t’i bindni qeveritë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ata pyesin se çka po bëhet me Asociacionin, me çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e minoriteteve.
E kam thënë në një intervistë së fundmi, kërkohet një hap i prekshëm, jo zbatimi sepse ai është pjesë e marrëveshjes së plotë, por një hap i prekshëm siç është dërgimi i draftit në Kushtetuese”, tha Rohde në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së.