Analisti serb: Vuçiq në thelb e pranoi njohjen e Kosovës
Sipas Dushan Janjiq, udhëheqës i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia mund të bëhet këtë vit.
Duke iu referuar kapitullit 4 të negociatave në procesin e anëtarësimit në BE, analisti serb Janjiq tha për Euronews Albania se Aleksandar Vuçiq e ka pranuar në thelb njohjen.
Ai pohoi se duke e bërë këtë, Serbia mund të pranohet në BE brenda dhjetë viteve të ardhshme.
“Vuçiq, në thelb ka thënë po dhe kjo i përket kapitullit 4 të bisedimeve. Ai thotë se përmbajtja e dokumentit është sekrete, por në thelb, përfundimi i diskutimeve është njohja e pavarësisë së Kosovës. Ai nuk do ta trajtojë më Kosovën duke thënë ‘Kosova dhe Metohia’, apo e ‘ashtuquajtura Republika e Kosovës’, por do të përdorë termin, Republika e Kosovës”. - ka thënë analisti serb.
“Arritja e marrëveshjes duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e Republikës së Kosovës dhe të Serbisë, para se të bëhet njohja. Është e vështirë, por mendoj, duke pasur parasysh realitetin, nëse njihet realiteti, unë nuk e pranoj që të ketë bllokime, por mund të arrihet për 1 vit. Duhet të hapen dyert e organizatave për anëtarësimin e Kosovës. Duhet anëtarësim në OKB. Vetëm kështu mund të vijë normalizimi i marrëdhënieve dhe Serbia të bëhet anëtare e BE-së në 10 vitet e ardhshme”, tka thënë ai.