Amerika shumë e madhe: Komentuesit të TV Valës i ngatërrohen Dallasi dhe Teksasi - NACIONALE

Amerika shumë e madhe: Komentuesit të TV Valës i ngatërrohen Dallasi dhe Teksasi

1 orë më parë

nga NACIONALE

Të premten po zhvillohet ndeshja e radhës për Kupën e Botës në futboll, ajo mes Australisë dhe Egjiptit.

Kjo ndeshje në Kosovë po transmetohet nga TV Vala dhe loja aktualisht është në shtesë, sepse rezultati në kohën e rregullt ishte baras, 1 me 1.

Në një moment gjatë komentimit, komentuesit të ndeshjes iu ngatërruan një qytet dhe një shtet i Shteteve të Bashkuara, ku po zhvillohet ndeshja.

“60 minuta lojë në Dallas… Në Teksas, pardon” – tha komentuesi, emri i të cilit, për fatin e tij, për momentin nuk po i kujtohet gazetarit të “Nacionales”.

Pak gjeografi:

Shtetet e Bashkuara janë federatë. Ato përbëhen nga 50 shtete.

Teksasi është shtet i Shteteve të Bashkuara dhe shtrihet në pjesën jugore të tyre, në kufirin me Meksikën.

Teksasi është shteti i dytë më i madh i ShBA-së për nga sipërfaqja, pas Alaskës. Është më i madh se Franca.

Në Teksas, më saktësisht në pjesën verilindore të tij, ndodhet qyteti Dallas. Sidoqoftë, ndeshja mes Australisë dhe Egjiptit nuk po zhvillohet në këtë qytet, prandaj komentuesi i ndeshjes në TV Vala u detyrua që ta përmirësonte veten.

Ndeshja po zhvillohet në stadiumin “AT&T Stadium” në qytetin Arlington, i cili gjithashtu ndodhet në Teksas, rreth 30 kilometra larg Dallasit.

Lajme të ngjashme