Ambasadori i Kosovës në Zvicër komenton deklaratën skandaloze të Kuzmanovicit
Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli ka komentuar deklaratën skandaloze që ka bërë ish lojtari i Baselit, Zdravko Kuzmanovic duke thënë se provokimet janë të panevojshme.
Kuzmanovic para disa ditëve deklaroi se do të kishte "nokautuar" Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën, pavarësisht që së fundmi e ndryshoi këtë deklaratë.
Sido që të jetë, tani ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Zvicër duke i quajtur këto provokime si të kota.
“Çdo provokim është i kotë dhe nuk i shërben aspak sportit apo pajtimit mes popujve”.
"Zviceranët janë mjaft profesionistë dhe nuk do të lejojnë që të provokohen”, shtoi ai.
Kujtojmë, se nesër do të zhvillohet ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë me fillim nga ora 20:00.