Ambasadori gjerman në Beograd: Ka ende shumë punë për t’u bërë deri tek njohja reciproke
Thomas Schieb, ambasador i Gjermanisë në Beograd, ka folur për procesin integrues të Serbisë, si dhe për dialogun në mes Kosovës e Serbisë.
Ambasadori në një intervistë për FoNet, ka thënë se po mungon vullneti politik, për të bërë progres më të shpejtë dhe për të arritur disa rezultate.
“Presim që dialogu të vazhdojë dhe të punohet në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e problemit”, ka thënë ambasadori gjerman duke përkujtuar se në proces është përfshirë edhe kancelari gjerman Olaf Scholz përmes takimeve me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq”, tha Schieb.
Duke folur se si duhet të përfundojë procesi i dialogut Kosovë-Serbi, ambasadori gjerman ka mohuar se ka ndryshim qëndrimi, duke thënë se kancelari Scholz, ka thënë se është e nevojshme që të normalizohen raportet, dhe në fund është njohja reciproke.
“Është e nevojshme të normalizohen raportet mes dy shteteve dhe në fund është njohja reciproke, gjë që e tha Kancelari Scholz shumë qartë. Deri atëherë, ka shumë punë për t’u bërë”, ka thënë Schieb.